Këshilli i Ankesave

KËSHILLI I ANKESAVE

Ligji nr. 97/2013 “ Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” përcakton se Këshilli i Ankesave caktohet nga AMA me shumicë të cilësuar dhe përbëhet nga:

Kryetari i Këshillit të Ankesave dhe dy anëtarë të Këshillit të Ankesave, specialistë të fushës së medias.

Kryetari dhe anëtarët emërohen për një periudhë 3-vjeçare, me të drejtë riemërimi jo më shumë se një herë.

Këshilli i Ankesave ka për objekt të punës mbikëqyrjen e zbatimit të kodit dhe rregulloreve të miratuara nga AMA, që kanë të bëjnë sidomos me respektimin e dinjitetit e të drejtave të tjera themelore të njeriut, në mënyrë të veçantë mbrojtjen e të miturve, të drejtës për informacion dhe sensibilizimit të opinionit publik, lidhur me respektimin e normave morale dhe etike në programet e ofruesve të shërbimeve audiovizive.

Funksionet kryesore të Këshillit të Ankesave, në përmbushje të objektit të punës së tij:

  1. të mbikëqyrë zbatimin e kodeve dhe rregulloreve nga OSHMA-të dhe RTSH-ja, sipas përcaktimeve të ligjit;
  2. të shqyrtojë ankesat e publikut;
  3. Të ndjekë në mënyrë periodike masën, në të cilën programet e një transmetuesi të huaj, të cilët tërësisht ose kryesisht u drejtohen spektatorëve në Republikën e Shqipërisë ekskluzivisht për qëllime informative, përputhen me kodet e transmetimit;
  4. të organizojë anketime të publikut për problemet etike të programeve. Përfundimet që nxjerr nga studimi i anketimeve dhe nga ankesat e publikut ia raporton AMA-s, duke sugjeruar masat për përmirësim. Përfundimet mund të publikohen edhe në mjetet e informimit publik;
  5. të botojë, çdo 6 muaj një përmbledhje të përfundimeve të nxjerra, në një buletin të veçantë që botohet nga AMA.

Pas miratimit zyrtar të strukturës së AMA-s nga Kuvendi i Shqipërisë, në fund të muajit shkurt 2015, kanë nisur procedurat për ngritjen e Këshillit të Ankesave. AMA po identifikohen kriteret e përgjithshme dhe të posaçme për personat që do e përbëjnë atë, duke iu referuar dhe eksperiencave të vendeve të tjera.

 

Përbërja e Këshillit të Ankesave

Kryetar/e

KryetarZnj. Monika Stafa ka përfunduar studimet Master shkencor në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori – Filologji për historinë politike bashkëkohore të shtetit shqiptar, në vitin 2007. Formimin e saj e plotësoi me studime të shkallës postmaster në Shkollën Politike Europiane (2008). Së afërmi paraqet për mbrojtje tezën e doktoraturës në shkollën e studimeve doktorale të Qendrës së Studimeve Albanologjike, me titull “Hebrenjtë në Shqipëri 1933 – 1944: me një vështrim prapavajtës dhe me një shqyrtim kontekstual”.

Znj. Stafa ka qenë gazetare, moderatore, skenariste në Top Media Grup prej majit të vitit 2001. Që nga viti 2003, autore dhe gazetare e dhjetra specialeve mbi çështjet e ditës, aktualitetit dhe intervistave ekskluzive të personaliteteve të huaj dhe shqiptarë me profil të lartë politik, historik dhe kulturor. Opinioniste e disa qindra artikujve, analizave, reportazheve e përshkrimeve të botuar në shtyp brenda dhe jashtë vendit. Ka mbartur një rubrikë të cilësuar në mënyrë të përjavshme në gazetën Shqip, degë e Top Media Group për një periudhë 10 vjeçare. Bashkëpunëtore e disa shkrimeve të botuara në gazeta dhe revista të ndryshme në Shqipëri, Kosovë dhe jashtë vendit. Pjesmarrëse në konferenca shkencore ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit si vëzhguese dhe si kumtuese në fushën e kërkimit historik dhe në atë të medias.

Autore e më shumë se 100 dokumentarëve të transmetuar në Top Channel dhe Digitalb, fituese e disa projekteve dhe konkurrimeve të organizatave ndërkombëtare të përfaqësuara në Tiranë (UNDP, UNICEF, UNIFEM, World Bank, British Council). E kontraktuar nga Digitalb për realizimin e disa projekteve për filma – dokumentar me një impakt të zëshëm. E mbështetur nga ambasadat e huaja të akredituara në Tiranë si SHBA, Izrael, Britani e Madhe etj, në realizimin e shumë projekteve historiko-kulturore dhe e ftuar prej tyre si këshilltare eksperte në fushën e mediave.

Ka botuar librat me tema historike “Çështja e Shën Naumit”, dhe “Monarkia kundër Republikës”. Libri i saj artikuj publicistikë “Gati për Rinisje”  është nominuar për cmimin si libri më i mirë i vitit, në tetor të vitit 2013 nga Ministria e Kulturës. Në shtator të po këtij viti ka nxjerrë për botim librin e parë artistik të sajin “Një ditë si Sofia” .

Kontakt: monika.stafa@ama.gov.al

 

Anëtar

AnetarZ. Urim Bajrami është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në fakultetin e Histori-Filologjisë në vitin 1997.  Z. Bajrami ka një përvojë shumëvjeçare në fushën e medias si dhe ka bashkëpunuar me disa nga mediat më të rëndësishme në vend. Ai ka qenë kryeredaktor i Gazetës “Shqip”, shef në Drejtorinë e Komunikimit Elektronik në Televizionin Top Channel, ka qenë Drejtor i Përgjithshëm në Televizionin “Scan” për një periudhë disavjeçare etj. Në periudha të ndryshme ka punuar si gazetar në disa gazeta të përditshme dhe periodike, si dhe ka përvojë në fushën e mësimdhënies.

Kontakt: urim.bajrami@ama.gov.al

 

Anëtar

AnetarZ. Erald Kapri ka përfunduar studimet Master për Komunikim në Universitetin e Westminster në vitin 2013 dhe është një ekspert në fushën e medias dhe komunikimit. Z. Kapri ka qenë korrespondent politik dhe ekonomik në gazeta të ndryshme si gazeta “Panorama”, gazeta “Standard” dhe “Metropol” si dhe është Pedagog i Jashtëm i Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ai është aktiv në shtypin e përditshëm të gazetës “Panorama” si dhe është pjesë e Institutit Universitar Evropian për shkrimin e një raporti mbi median dhe pluralizmin në Shqipëri

Kontakt: erald.kapri@ama.gov.al