E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

AMA organizon takim konsultativ mbi prezantimin e draft rregullores “Për reklamat dhe komunikimet tregtare”

AMA organizon takim konsultativ mbi prezantimin e draft rregullores “Për reklamat dhe komunikimet tregtare”

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, organizoi pranë mjediseve të saj, tryezën e diskutimit mbi rregulloren “për komunikimet audio dhe/ ose audiovizive me natyrë tregtare format, kushtet dhe koha ditore e lejuar për transmetimin e reklamave”.

Qëllimi kryesor i takimit ishte angazhimi konkret i të gjitha grupeve të interesit, në një kohë kur projekt-rregullorja sapo i është nënshtruar fazës së këshillimit publik.

Kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, z. Gentian Sala gjatë diskutimeve me përfaqësues të OSHMA-ve, theksoi se pavarësisht kalimit të afatit 30 ditor për paraqitjen e propozimeve dhe sugjerimeve, AMA mbetet e hapur për shqyrtimin e sugjerimeve të mundshme të OSHMA-ve për përmirësimin e tekstit të projekt-rregullores. “Është shumë e rëndësishme”- tha ai, “që propozimet të jenë sa më konkrete dhe të strukturuara, që në fund të kemi një produkt cilësor për një impakt sa më pozitiv tek publiku”.

Gjithashtu Z. Sala siguroi se nga ana e Autoritetit të Mediave Audiovizvie do të ketë angazhim maksimal që shqetësimet e ngritura të trajtohen gjatë finalizimit të hartimit të rregullores duke iu përmbajtur gjithmonë kuadrit ligjor.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të OSHMA-ve si dhe aktorë të cilët kanë rol thelbësor në përmbushjen dhe bashkërendimin e forcave për rregullimin e tregut të reklamave.

AMA mbetet e vëmendshme që të tërheqë sa më shumë propozime, vërejtje dhe mendime mbi këtë akt nënligjor përpara se të miratohet, duke qenë se hapësira e reklamave dhe komunikimeve tregtare ka qenë dhe mbetet një ndër fokuset kryesore të saj, për të nxitur subjektet audio dhe audiovizive mbi respektimin e kuadrit ligjor në fuqi, në shërbim të informimit dhe orientimit sa më të mirë të publikut.

Palët e interesuara, të ftuara në takim si Autoriteti i Konkurrencës; Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve; Autoriteti i Mbikëqyrjes se Lojërave të Fatit; Autoriteti Kombëtar i Ushqimit; Instituti i Shëndetit Publik; etj; vlerësuan aktivitetin dhe theksuan rëndësinë e kësaj rregulloreje në mbrojtje të konsumatorit dhe grupeve të veçanta të margjinalizuara.

Ky takim konsultativ shërbeu për të prezantuar më mirë shqetësimet e të gjithë atyre palëve të interesuara që janë pjesë e miratimit të kësaj rregulloreje. Qëndrimi proaktiv në tërësi i të gjithë aktorëve pjesëmarrës shkon në mirëfunksionimin e procesit të miratimit të akteve rregullatore të Autoritetit.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 21.11.2017

Perpara AMA përqafon politikat e gjelbërta : “Efiçenca e Energjisë dhe adoptimi i një plan veprimi për përmirësimin e saj” – trajnimi për stafin e Autoritetit

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara