E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

AMA nuk do të lejojë transmetimin e filmave pa të drejta

AMA nuk do të lejojë transmetimin e filmave pa të drejta

Autoriteti i Mediave Audiovizive, ka ndjekur dhe po ndjek me shumë vëmendje respektimin e të drejtave për transmetimin e filmave, shqiptarë edhe të huaj nga ana e subjekteve televizivë. Prej muajit tetor 2016 e në vijim AMA ka kryer monitorime sistematike, ka bërë vërejtje dhe tërheqje vëmendjeje, si dhe ka marrë masa administrative duke sanksionuar me gjobë televizionet që kanë transmetuar filma pa kontrata, ose marrëveshje. Pavarësisht kësaj, ende konstatohet se ka probleme me mosrespektimin e kuadrit legjislativ dhe transmetime filmash pa kontrata, ose marrëveshje.

Duke e parë si një detyrim ligjor nga të gjithë aktorët që operojnë në tregun audioviziv, Autoriteti sjell në vëmendje se në bazë të ligjit nr. 97/2013 datë 4.3.2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të gjitha televizionet duhet të transmetojnë filma vetëm në përputhje me kushtet dhe afatet për të cilat kanë nënshkruar kontrata, ose marrëveshje të shoqëruar me listën konkrete të filmave.

Për sa më sipër, ju tërheqim vëmendjen që të merrni masa të menjëhershme, që gjatë ushtrimit të aktivitetit tuaj audioviziv, të mos transmetoni asnjë film televiziv, apo kinematografik, shqiptar, apo të huaj, pa nënshkruar më parë një kontratë, ose marrëveshje me mbajtësit realë të të drejtave të tyre.

Sjellim në vëmendjen tuaj se transmetimi i filmave pa kontratë, ose marrëvshje, përbën kundërvajtje administraive dhe ndëshkohet me gjobë nga 1.000.000 deri në 2.000.000 lekë. Përsëritja e shkeljes më shumë se 3 herë dënohet me uljen deri në 50 për qind të afatit të licencës dhe/ose autorizimit dhe, në rast ripërsëritjeje, shkelja ndëshkohet me heqjen e licencës dhe/ose autorizimit.

Përveç sa më sipër, AMA ju njofton se është duke shqyrtuar të gjitha marrëveshjet, kontratat apo autorizimet që janë, ose jo depozituar në AMA në lidhje me transmetimin e filmave, të lidhura mes televizioneve dhe subjekteve të tjera, shqiptare, apo të huaja, me qëllim verifikimin e plotë të gjithë titujve të filmave që këto shoqëri pretendojnë se zotërojnë dhe japin për transmetim në territorin e Shqipërisë. Për këtë arsye ju ftojmë të jeni të kundesshëm në lidhje me nënshkrimin e çdo marrëveshje, apo kontrate për të drejtat e filmave, si dhe të siguroheni mirë që subjekti me të cilin nënshkruani këto marrveshje, apo kontrata i zotëron vërtet të drejtat që kalon tek ju dhe zotëron certifiktatat e të drejtve, të shoqëruar me titujt e të filmave, të lëshuara nga prodhuesi i tyre.

AMA do të vijojë të monitorojë transmetimin e çdo filmi nga subjektet televizivë dhe do të marrë të gjitha masat e parashikuara në ligj për çdo rast të konstatimit të shkeljes dhe mosrespektimit të të drejtave të filmave, që nga sanksionimi me gjobë deri në heqjen e licencës/autorizimit.

Ju faleminderit për mirëkuptimin.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 5 maj, 2017

Perpara AMA organizon pritje me rastin e Ditës Ndërkobëtare së Medias

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara