Njoftim mbi sqarimet e bëra mbi dokumentacionin e licencimit për pajisjen me licencë kombëtare transmetimi audiovizv numerik dhe /ose licencë kombëtare shërbimi të programit audioviziv

Njoftim mbi sqarimet e bëra mbi dokumentacionin e licencimit për pajisjen me licencë kombëtare transmetimi audiovizv numerik dhe /ose licencë kombëtare shërbimi të programit audioviziv

Në mbështetje të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nenit 16, pika 2 e rregullores “Për kriteret dhe procedurat për dhënien e licencës kombëtare të transmetimit audioviziv dhe licencës kombëtare të shërbimit të programit audioviziv”, miratuar me vendimin e AMA-s nr. 219, datë 12.10.2016, AMA ju njofton sqarimet e bëra mbi dokumentacionin e licencimit, në vijim të kërkesës së njërit prej subjekteve që ka blerë dokumentacionin e konkurrimit, si më poshtë:

  • Sa i përket plotësimit të allotmenteve për allotmentet Lezhë dhe Vlorë, ju bëjmë me dije se AMA ka nisur negociatat me Departamentin e Komunikacioneve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Italisë. Në këtë proces pala shqiptare është përfaqësuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, Departamenti i Agjendës Evropiane të TIK, pranë Kryeministrisë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Nga kjo veprimtari është arritur të konkludohet një marrëveshje paraprake për akordimin nga ana e tyre të 2 kanaleve për allotmentet e Lezhës dhe Vlorës për rrjetin MUX6 e MUX7. Po ashtu, AMA vlerëson të shfrytëzojë mundësinë që udhëzon rekomandimi i ITU-së mbi pamundësinë e mbulimit të të gjithë allotmentit me sinjal, duke shfrytëzuar përdorimin e “Gap Filler-ave” për një rrjet. ITU ka parashikuar se gjatë mbulimit me sinjal të një allotmenti mund të ngelen zona ose “xhepa” që nuk mbulohen për arsye të terrenit të thyer ose malor. Për këto “xhepa” ITU rekomandon ngritjen e pikave transmetuese me fuqi të ulët transmetimi dhe përdorimin e kanaleve që nuk janë të akorduara nga plani numerik GE06 për allotmentet fqinje.
  • Referuar kërkesës mbi detyrimin për pajisjen ose jo me licencë, të projektuesit të rrjetit të shpërndarjes, ju sqarojmë se në rregulloren “Për kriteret dhe procedurat për dhënien e licencës kombëtare të transmetimit audioviziv dhe licencës kombëtare të shërbimit të programit audioviziv”, miratuar me vendimin e AMA-s nr. 219, datë 12.10.2016, nuk është parashikuar që projektuesi dhe/ose implementuesi i rrjetit numerik të jetë i pajisur me licencë profesionale apo çfarëdo lloj tjetër licence.
  • Sa i përket kërkesës për sqarim mbi karakteristikat teknike të transmetimit të vëna në dispozicion për pjesëmarrësit në garën e çelur nga AMA për dhënien e licencës kombëtare të transmetimit audioviziv, theksojmë se këto karakteristika janë të miratuara dhe të bëra publike nga ITU. Në lidhje me studimet e kryera nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, sqarojmë se, këto janë studime që AMA i ka kryer për nevoja të veta në lidhje me procesin e përcaktimit të karakteristikave të transmetimit të rrjeteve numerike, studime të pavarura nga procesi i hartimit të projekteve individuale të subjekteve aplikuese. Si rrjedhojë, studimi në fjalë mund të konsultohet në baza orientuese, që do të thotë se aplikuesit duhet të paraqesin projektet e veta Bashkëlidhur në version elektronik  mund të gjeni studimin e kryer në DVB-T, i cili ka shërbyer për procesin e notifikimit për rrjetet 06 dhe 07.
  • Sa i përket pyetjes mbi llojet e licencave, ju sqarojmë se neni 5 i rregullores “Për kriteret dhe procedurat për dhënien e licencës kombëtare të transmetimit audioviziv dhe licencës kombëtare të shërbimit të programit audioviziv”, miratuar me vendimin e AMA-s nr. 219, datë 12.10.2016, përcakton shprehimisht se licenca e transmetimit audioviziv përbëhet nga dy licenca, konkretisht licencë për shërbim programi audioviziv dhe licencë për ndërtimin e operimin e rrjetit numerik.
  • Referuar pikëzimit për kriteret fiananciare, ju sqarojmë se rrjetet numerike kombëtare të shpallura në garë të hapur nga AMA, janë objekt i aplikimit për të gjithë subjektet e interesuara të cilët mund të kenë ose jo eksperiencë në transmetimet audiovizive. Në këto kushte, duke konsideruar faktin që për ndërtimin dhe vënien në punë të rrjeteve numerike kombëtare nevojitet kapital financiar i konsiderueshëm, është vlerësuar si skemë financiare optimale përbërja e burimeve të financimit nga dy elemente, që pasqyrojnë realitetin e mundshëm për rastin në fjalë;
  1. Kapaciteti i vetëfinancimit (Bazuar në planin ekonomiko-financiar që subjektet aplikues do të paraqesin, do të vlerësohet aftësia për burime të financimit nga fitimi i akumuluar dhe kontributi i ortakëve).
  2. Kapaciteti i financimit nga të tretë (Bazuar në planin ekonomiko-financiar do të vlerësohet sa aftësi ka subjekti për të siguruar financim nga të tretë, për të siguruar burimet e financimit të nevojshme për të shfrytëzuar rrjetin numerik të akorduar me licencë nga AMA).
  • Sa i përket kërkesave programore që duhet të plotësojë dokumentacioni i aplikimit për licencë kombëtare transmetimi audioviziv, ju sqarojmë se bazuar në nenin 18 të rregullores “Për kriteret dhe procedurat për dhënien e licencës kombëtare të transmetimit audioviziv dhe licencës kombëtare të shërbimit të programit audioviziv”, subjekti që aplikon në AMA duhet të paraqesë përmbajtjen e programeve që do të transmetohen dhe strukturën programore të propozuar për transmetim, të cilat duhet të shprehin qartë pluralizmin në tërësinë e tyre dhe paanësinë e informacionit. Për përmbushjen e kërkesave programore sipas shkronjave (c) dhe (ç) të pikës 1.4 të nenit 18, informacioni duhet të jetë vetëm me titujt e programeve.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 25 nëntor 2016

Perpara Njoftim për ndërprerjen e transmetimeve numerike në mënyrë të paligjshme.