+355 67 303 3000 info@ama.gov.al

Deklarata

Vëmendje maksimale për çdo ankesë të qytetarëve ndaj transmetimeve audiovizive

Këshilli i Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), organizoi sot tryezën e diskutimit “Zbatimi i Kodit të Transmetimit dhe roli Bordeve të Shqyrtimit të Ankesave”.

Qëllimi i këtij diskutimi me anëtarët e Bordeve të Shqyrtimit të Ankesave të Televizioneve Kombëtare dhe atyre lokale ishte njohja dhe zbatimi i Kodit të Transmetimit në punën e përditshme të mediave audiovizive si dhe njohja me udhëzimin e fundit të Këshillit të Ankesave “Mbi procedurat e trajtimit të ankesave nga Ofruesit e Shërbimit Mediatik Audioviziv (OSHMA)”, problemet e hasura deri më tani dhe zgjidhjet e tyre, bashkëpunimin me Këshillin e Ankesave pranë AMA-s etj.

Kryetari i Këshillit të Ankesave, z. Urim Bajrami theksoi në diskutimin e tij se Kodi i Transmetimit ka një rëndësi thelbësore për t’u njohur dhe zbatuar nga operatorët, për t’ju përgjigjur problematikave kryesore të cilat mediat audiovizive hasin në shumicën e rasteve. Z Bajrami ndau me anëtarët e Bordeve të Shqyrtimit të Ankesave të televizioneve përvojën e deritanishme të Këshillit të Ankesave, dinamikën e ankesave të ardhura nga institucionet dhe qytetarët si dhe problematikat më të shpeshta në shkeljen apo cenimin e parimeve të Kodit të Transmetimit.

Me të pranishmit u nda nevoja për respektimin e udhëzimit, për procedurat e trajtimit të ankesave nga ana e operatorëve si një mundësi për t’ju përgjigjur kërkesave dhe shqetësimeve të qytetarëve por edhe si një formë për zbatimin sa më të mirë të Kodit të Transmetimit.

Anëtaret e Bordeve të Shqyrtimit të Ankesave nga OSHMA-ve patën mundësi të diskutonin me Këshillin e Ankesave por dhe Drejtorinë Juridike dhe Licencave pranë AMA-s mbi praktikat më të mira të eksperiencës së deritanishme për t’u zbatuar në punën e përditshme të tyre.

Pjesë e këtij diskutimi ishte edhe z. Asja Zuzevic nga Autoriteti Rregullator i Bosnje Hercegovinës e cila ndau eksperiencën e vendit të saj mbi shqyrtimin e ankesave, procedurat etj.

Në përfundim, Këshilli i Ankesave në AMA dhe Bordet e Shqyrtimit të Ankesave shprehën vlerësimin mbi praktikën e deritanishme dhe u ra dakord për një bashkëpunim të gjerë për çdo ankesë e ardhura nga qytetarët apo grupe interesi të ketë vëmendjen maksimale, për të marrë përgjigje dhe vëmendje maksimale për ti shërbyer interesit publik në transmetimet audiovizive shqiptare.

 

Autoriteti i Mediave Audiovizive

06.03.2019

Autoritetet rregullatore të Shqipërisë dhe Kosovës takim pune mbi monitorimin dhe vlerësimin e programeve audiovizive

 Të mërkurën, datë 6 mars 2019, u zhvillua në mjediset e Autoritetit të Mediave Audiovizive në Tiranë, një takim pune mes njësive të programit dhe monitorimit nga dy autoritetet rregullatore të Shqipërisë dhe Kosovës.

Përfaqësuesit e AMA-s dhe Komisionit të Pavarur të Medias, KPM, u fokusuan më shumë tek problematikat e përmbajtjeve të emetuara, si dhe procedimin e vlerësimit të tyre në përputhje me kuadrin legjislativ në fuqi. Kjo, duke u parë në funksion të garantimit të pluralitetit në transmetimet audiovizive, të shumëllojshmërisë dhe cilësisë së programeve që emetojnë televizionet, radiot, platformat digjitale, kabllorët etj.

Takimi ishte konceptuar si një shkëmbim përvoje nga dy rregullatorët, në angazhimin e tyre për të respektuar standardet e transmetimeve në lidhje me mbrojtjen e të miturve, të evitimit të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit të çdo forme, për reklamat e komunikimet tregtare, për ndjekjen e të drejtave autoriale të prodhimeve audio dhe audiovizuale, nivelin e veprave evropiane etj.

AMA dhe KPM po shohin mundësinë e përmirësimit të aplikimeve dhe programeve kompjuterike në dobi të monitorimit sa më cilësor dhe publikimit sistematik të të dhënave nga perfomanca e tregut audioviziv. Takime të tilla pune do të vijojnë të organizohen dhe në të ardhmen në Tiranë dhe Prishtinë, për shkëmbimin e eksperiencave dhe gjetjen e modeleve më efikase në monitorimin dhe vlerësimin e programeve audiovizive, si dhe nevojës për të ndërhyrë në përmirësimin e akteve nënligjore për këtë aspekt.

 

Autoriteti i Mediave Audiovizive                                                               

06.03.2019

AMA i bashkohet programit të Kryqit të Kuq Shqiptar për dhurimin vullnetar të gjakut

 Autoriteti i Mediave Audiovizive për të dytin vit radhazi mori pjesë në pasurimin e bankës së gjakut, programin e Kryqit të Kuq Shqiptar, me qëllim sigurimin e gjakut të mjaftueshëm për fëmijët talasemikë në Shqipëri.

Stafi i AMA-s dhuroi gjak në mënyrë vullnetare për t’u gjendur në nevojë këtyre fëmijëve, njëkohësisht duke promovuar kështu vlerat humane që përmban dhurimi vullnetar i gjakut, duke e konsideruar atë një aspekt mjaft të rëndësishëm njerëzor dhe si një vlerë e shoqërive të emancipuara.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 01.03.2019

Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore nënshkruajnë memorandumin e bashkëpunimit

Kryetari i Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), Z. Gentian Sala, priti sot në një takim pune Z. Arben Seferaj, Kryeinspektor pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH) dhe znj. Irida Qosja, Përgjegjëse në Drejtorinë e Inspektimit për Marrëdheniet e Punës dhe Statistikës pranë ISHPSHSH.

Qëllimi i takimit ishte garantimi i zbatimit të dispozitave ligjore për kushtet e punës, mbrojtjen e punëmarrësve në ushtrimin e profesionit të tyre, pagat, sigurimin dhe mirëqënien e gazetarit në sektorin e mediave audiovizive.

Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala dhe homologu i tij nga ISHPSHSH, z. Arben Seferaj, parashtruan shqetësimet e tyre mbi kushtet e punës së gazetarëve si dhe shprehën gatishmërinë të rrisin dhe forcojnë bashkëpunimin ndërmjet tyre për çështje të interesit të përbashkët që lidhen me zbatimin e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e punëmarrësve në fushën e mediave audio dhe/ose audiovizive.

Ky takim zyrtar, ishte shprehje konkrete për vullnet në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, i cili u shoqëruar edhe me nënshkrimin e një memorandum bashkëpunimi me qëllim shkëmbimin e informacioneve në mënyrë sa më të shpejtë dhe efektive.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 28 shkurt 2019

AMA dhe Agjencia për Shërbimet e Komunikimeve Elektronike dhe Postare e Malit të Zi në takim zyrtar në Tiranë

Ditën e hënë, në mjediset e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), u zhvillua takimi mes Agjencisë për Shërbimet e Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Malit të Zi me përfaqësinë e AMA-s. Në mjediset e AMA-s u pritën përfaqësia nga Agjencia Z. Darko Grgurović, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë, Z. Boris Jevrić, Zëvendës Drejtor Ekzekutiv për Radiokomunikimet, Z. Elvis Babačić, Menaxher për Radiokomunikimet Fikse dhe Mobile, Z. Amir Molazećirović, Menaxher për transmetimet audio/audiovizive.

Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i eksperiencave mes dy autoriteteve dhe konsultimi për procesin e digjitalizmit të transmetimeve dhe për ofrimin e shërbimeve mediatike të reja, si dhe intensifikimi i bashkëpunimin midis dy autoriteteve.

Takimi në terma të veçantë ishte më së shumti teknik ku disa nga çështjet kryesore që u trajtuan ishin:  Përdorimi i radiofrekuencave në brezin 800 MHz dhe interferencat e dëmshme në këtë brez; Planet e ardhshme për përdorimin e brezit 700 MHz; Aktivitetet e ardhshme në fushën e koordinimit të radiofrekuencave për radio FM dhe sistemet e DTT; Shkëmbimi i informatave dhe përvojave ndërmjet NRA-ve tona; AOB (Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet NRA-ve tona, projekteve të përbashkëta rajonale, etj).

Z.Sala njohu të pranishmit me peizazhin mediatik shqiptar por edhe me sfidat e kaluara dhe prezente të medias shqiptare në këtë periudhë. Po ashtu, ai e njohu delegacionin edhe me procesin e digjitalizimit të transmetimeve audiovizive në Shqipëri.Z.Grgurović, po ashtu e bëri të njohur.

Z. Sala dhe palën shqiptare në lidhje me zhvillimet dhe progreset e medias dhe mjedisit audioviziv dhe elektronik në Malin e Zi. Në Malin e Zi procesi i digjitalizmit ka përfunduar prej disa kohësh tanimë.

Një çështje tjetër që u diskutua gjatë takimit ishte edhe interferimi i disa radiove shqiptare në territorin e Malit të Zi, sidomos në sezonin e verës, pikë në të cilën të dy autoritet shprehën dakordësinë se do të gjendej zgjidhja teknike dhe sa më pak burokratike që do të mundësonte tejkalimin e saj.

Z.Sala dhe Z. Grgurović ranë dakord se do të vazhdojnë takimet midis tyre për të finalizuar zgjidhjen teknike të temave të axhendës, në Podgoricë apo Tiranë, por edhe për pika të tjera, në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

 

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 25 shkurt 2019

Njoftim për çeljen e garës për dhënien e 1 (një) licence transmetimi Audio Analoge

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në mbështetje të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, rregullores “Për procedurat dhe kriteret për dhënien e licencës së transmetimit audio”, miratuar me vendimin e AMA-s, nr. 153, datë 18.07.2016, i ndryshuar, si dhe vendimit të AMA-s, nr. 22, datë 15.02.2019 “Për çeljen e garës për dhënien e licencës private të transmetimit audio analoge dhe miratimin e dokumentacionit të licencimit ” do të organizojë procedurën e përzgjedhjes së kandidaturave për dhënien e 1 (një) licence private transmetimi audio analoge, të përbërë nga:

  1. licenca e shërbimit të programi audio;
  2. licencë për ndërtimin e operimin e rrjetit analog.

Për zonën e mëposhtme:

Nr Zona e ofrimit të shërbimit Përcaktimi i operatorit Pika e transmetimit Frekuenca (MHz)
1. Bashkia Tepelenë Audio analoge lokale Tepelenë

(qytet)

95.5

 

Subjektet e interesuara për t’u pajisur me licencë private transmetimi audio analoge, janë të lutur që të depozitojnë aplikimet në Autoritetin e Mediave Audiovizive, rruga “Papa Gjon Pali II”, Nr. 15, Kutia Postare 1010, Tiranë, brenda datës 02 prill 2019, ora 10.00.

Dokumentacioni i plotë i konkurrimit të kandidaturave, që përfshin:

  • Rregulloren “Për procedurat dhe kriteret për dhënien e licencës së transmetimit audio” e ndryshuar;
  • Kushtet teknike të instalimit të pajisjeve transmetuese për secilën zonë të shpallur; (Pika e transmetimit, kanali, fuqia e transmetuesit);
  • Kërkesat programore;
  • Pagesat për licencën, taksat etj, të llogaritura për zonën në fjalë;

mund të tërhiqet në zyrën e Arkivë-Protokollit, në AMA pas kryerjes së pagesës në Drejtorinë e Shërbimeve të Brendshme, nga çdo subjekt që synon të marrë pjesë në konkurrim.

Aplikimet do të hapen në datën 02 prill 2019, ora 10.00, në mjediset e AMA-s, ku subjektet aplikues apo përfaqësuesit e autorizuar prej tyre, kanë të drejtë të jenë të pranishëm në momentin e hapjes së dosjeve të aplikimit.

KPM dhe AMA në takim konsultativ për procesin e digjitalizimit në Kosovë

Ditën e hënë, në mjediset e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), u zhvillua takimi mes  Komisionit për Administratën Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në Kosovë, me përfaqësinë e AMA-s. Në mjediset e AMA-s u pritën përfaqësia nga Kuvendi z. Nait Hasani, z. Milaim Zeka dhe z. Valon Ramadani , po ashtu edhe z. Muja Ferati Kryetar i Komisionit  të Pavarur të Mediave, znj. Vlorë Berisha, znj. Anita Muriqi, znj. Naile Selimaj Krasniqi, z. Besim Rexhepi

Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i eksperiencave mes dy autoriteteve dhe konsultimi për procesin e digjitalizmit të transmetimeve dhe për ofrimin e shërbimeve mediatike të reja. Gjatë takimit u diskutuan çështje me rëndësi për të dy Autoritetet, si trendet e zhvillimit të medias, risitë e teknologjisë në rajon dhe më gjerë, gjithashtu edhe u shkëmbyen përvojat në lidhje me procesin e digjitalizimit të transmetimeve ku dhe u ndalën më gjatë të dy Kryetarët përkatës për të shpjeguar procesin sesi ka funksionuar në Shqipëri deri tani dhe më pas duke pritur pyetje konkrete nga përfaqësuesit e KPM-së.

Z. Hasani, shprehu dëshirën për kryerjen e procesit te digjitalizimit dhe në territorin e shtetit te Kosovës por gjithashtu shprehu shqetësimin për sfidën financiare që mund te haset në implementimin e teknologjisë.

Z. Sala e njohu delegacionin me proceset që AMA është duke punuar.  Digjitalizimi është duke vazhduar me sukses dhe pritet që të arrihen afatet e parashikuara, tha z. Sala. Po ashtu ai e njohu delegacionin edhe me sfidat që AMA-s i është dashur të përballet dhe mënyrën sesi ato janë zgjidhur. Z. Sala inkurajoi të pranishmit se digjitalizmi është një proces me shumë përfitime si për median po ashtu edhe për qytetarin.

Z. Muja Ferati, u tregua vullnetplotë për të bashkëpunuar në lidhje me fillimin dhe finalizimin e një procesi sa më të aksesueshëm për qytetarët. Ai u interesua veçanërisht për detaje teknike dhe financiare të procesit. Gjatë diskutimeve u pranua nga të dyja palët se për Kosovën do të jetë shumë me e lehtë të implementohet kjo mënyrë e re transmetimi për shkak të relievit të saj.

Në javët në vijim do të operohet me veprime konkrete dhe asistencë teknike, programore dhe juridike për çështje që do të vlerësohen si të rëndësishme në fazën e dgjitalizmit të transmetimeve ku ndodhet për momentin Republika e Kosovës.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 18.02.2019

Organizohet takimi i katërt mbi ndryshimet në ligjin e AMA-s dhe AKEP-it

Sot, më datën 11 janar 2019, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), organizuan takimin e katërt të diskutimit mbi ndryshimet në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar” dhe në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”.

Në takim morën pjesë përfaqësues të mediave elektronike, drejtues të lartë nga Ministria e Drejtësisë, Avokati i Popullit, institucioneve të tjera publike, përfaqësues të organizmave ndërkombëtare si dhe të shoqatave që në fokus të punës së tyre kanë median por edhe të drejtat e njeriut.

Takimi i katërt ishte në vazhdën e tre takimeve të mëparshëm. Zv. Ministria e Drejtësisë, Znj. Teuta Vodo, ftoi të gjitha palët të shprehnin komentet dhe rezervat e tyre në lidhje me këto projektligje dhe u shpreh bashkëpunuese për të përmirësuar projektaktet e hedhura për diskutim. Znj. Vodo njohu pjesëmarrësit me një sërë vendimesh gjyqësore të gjykatave të vendeve evropiane me objekt trajtimin e “Fake News”.

Avokati i Popullit, znj. Erinda Ballanca, e pranishme në takim dha mesazhin se çdo individ që shprehet publikisht, në median online dhe audiovizive duhet të jetë i përgjegjshëm dhe të mbajë përgjegjësi për atë që shkruan dhe publikon. Znj. Ballanca, njohu nevojën për rregullim të medias online, nëpërmjet akteve ligjore, por mbrojti idenë se vetërregullimi apo një organ tjetër jashtë AMA-s, mund t’a kryejë këtë funksion. Ajo theksoi se është përgjegjësia e secilit, konfirmimi i “faktit” të cilin e publikon dhe t’a ndajë atë nga “opinioni”.

Z. Besar Likmeta, përfaqësues i BIRN Albania, u shpreh kundër miratimit të ndryshimeve të propozuara, duke theksuar që këto akte cënojnë lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes. Z. Likmeta theksoi se për momentin në Shqipëri nuk ka fluks të fakenews por ka fluks të propagandës së qeverisë dhe pushtetit. Projektligjet janë të padenja, nga mënyra sesi trajtohen qytetarët, shtoi ai.  Z.Elvin Luku, studiues i medias dhe përfaqësues i “Medialook” ngriti problemin se projektligji nuk mbështetet në asnjë studim që përkon me realitetin mediatik shqiptar, e për rrjedhojë parashikon dhe praktika e gjoba abuzive, jopropocionale në raport me mediat tradicionale, të cilat çojnë në mbylljen e pashmangshme të portaleve.

Z. Luku tha se të gjitha qendrat mediatike dhe organizatat e kanë refuzuar këtë ligj që në frymë, sepse cilësohet si censurues. Në projektligjet e propozuara nuk ka koncepte të gazetarisë dhe sidomos të mediave online. Projektligji shkon përtej medias online dhe kërkon të preket gjithçka kalon në internet.

Z. Altin Azizaj, nga Qendra për të Drejtat e Fëmijëve, tha se të dyja projektligjet mbajnë peshë politike. Ai duke theksuar se është i nevojshëm rregullim ligjor i medias online, vuri në dukje problematikat e dy projektakteve, duke filluar me përkufizimet, formësimi i regjistrit, masa e gjobave, bllokimi i faqeve, apo çfarë ndodh me faqet online që vetëm ripublikojnë.

Znj. Alma Tandili nga Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës tha se agjencia është pro projektligjeve. Së shpejti do të thërrasim një konferencë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe transmetimet mbi ta, tha Znj. Tandili sepse për ne është problem sesi trajtohen fëmijët në median online.

Kryetari i AMA-s, Z. Gentian Sala i ftoi të gjithë të pranishmit të jepnin mendimet e tyre. Gazetarët janë të qëndrimit mosbesues ndaj institucioneve publike, tha Z. Sala, por në fakt parimet e paraqitura në projektin e propozuar mbeten të njëjta me ato që aplikohen në median audiovizive.

Të gjitha shqetësimet do t’i paraqiten të përmbledhura Ministrisë së Drejtësisë.

 

Autoriteti i Mediave Audiovizive                                                                                            

Tiranë, më 11.01.2019