E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Finalizimi i procesit të digjitalizimit të transmetimeve audiovizive

Digjitalizimi i transmetimeve audiovizive ka përfunduar plotësisht më datë 30 dhjetor 2020, duke realizuar dhe përmbushur në këtë mënyrë këtë detyrim ndërkombëtar dhe kombëtar të mbartur ndër vite.

Procesi i digjitalizimit të transmetimeve audiovizive, konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në fushën e medias, pasi sjell një ndryshim rrënjësor të mënyrës së të parit televizor. Procesi i digjitalizimit pritet të ketë një impakt të ndjeshëm social në shoqërinë shqiptare, pasi rritja e numrit të programeve televizive do të çojë në shtimin e mundësive të zgjedhjeve për qytetarët tanë, dhe kjo do të çojë në rritjen e konkurrencës në treg. Automatikisht rritja e konkurrencës do të nxisë operatorët audiovizivë drejt përmirësimit të cilësisë së programeve televizive shqiptare.

Tranzicioni në transmetimet digjitale televizive në Shqipëri ka kaluar përmes një rruge të gjatë dhe në përballje me një sërë sfidash, për rregullatorin, operatorët audiovizive si dhe teleshikuesit shqiptar.

Implementimi i këtij procesi në zbatim të kuadrit ligjor dhe rregullator në fuqi, është realizuar përmes një bashkëpunimi të ngushtë me të gjithë palët e përfshira në këtë proces, ku një rol kryesor ka pasur Autoriteti i Mediave Audiovizive.

Përfitimet që sjell procesi i digjitalizimit janë të ndjeshme dhe të prekshme nga të gjithë qytetarët shqiptarë.

Në bazë të zonës së licensimit të OSHMA-ve të ndryshme, aktualisht qytetarët shqiptarë kanë mundësinë të kenë akses në një rang prej 28 deri ne 39 kanale të lira (pa pagesë).

Në kuadër të këtij procesi, AMA ka ndërmarrë aktivitete të ndryshme si:

  • Përgatitjen e kuadrit rregullator në mbështetje të ligjit 97/2013;
  • Licencimin e operatorëve privatë kombëtarë numerikë;
  • Lirimin e frekuencave të zëna në mënyrë të paligjshme;
  • Migrimin e operatorëve nga frekuencat që kishin në përdorim në frekuenca të tjera në mënyrë që frekuencat e rrjeteve kombëtare numerike të ishin të lira;
  • Përcaktimin e numrit logjik të programit për të gjithë operatorët në treg;
  • Miratimin e pagesës për mbështetjen e operatorëve lokalë/rajonalë në rrjetin kombëtar të operatorit publik shqiptar;
  • Organizimin e fushatës sensibilizuese për publikun e gjerë, në kuadër të informimit të përgjithshëm mbi procesin, si dhe detajeve të tjera teknike lidhur me mënyrat e aksesimit të transmetimeve digjitale;
  • Ngritjen e strukturës Call Center në mbështetje të publikut shqiptar për çdo paqartësi lidhur me procesin apo çdo informacion tjetër që u nevojitej.

Struktura Call Center do të vijojë edhe përgjatë vitit 2021 të ofrojë mbështetjen e saj ndaj nevojave të qytetarëve.

Në përfundim, AMA falënderon të gjithë aktorët që janë përfshirë në këtë proces dhe në mënyrë të veçantë operatorin publik shqiptar dhe të gjithë operatorët audiovizive lokalë/rajonalë dhe kombëtarë që kanë bashkëpunuar ngushtësisht me AMA-n në realizimin e këtij procesi.

Falënderojmë qytetarët shqiptarë që tashmë kanë përqafuar këtë teknologji të re me gjithë vështirësitë që ata kanë pasur, jo vetëm nga ana financiare por edhe në përdorimin e kësaj teknologjie.

AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE
Tiranë, më 13.01.2021
Perpara Tryeza e diskutimit – “Fëmijët dhe shprehitë e edukimit mediatik”

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara