AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE DHE KOMISIONERI PËR MBROJTJEN NGA DISKRIMINIMI NËNSHKRUAJNË MEMORANDUM MIRËKUPTIMI

Me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus rëndësinë e garantimit të mbrojtjes nga diskriminimi në fushën e shërbimeve audiovizive Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi.

Ky Memorandum mirëkuptimi synon institucionalizimin e bashkëpunimit dhe përcaktimin e rregullave dhe mënyrave brenda të cilave Institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive, do të zhvillojnë marrëdhëniet e tyre institucionale në kuadër të punës së përbashkët për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, për çështje të interesit  të përbashkët që lidhen me zbatimin e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi në fushën e mediave audio dhe/ose audiovizive.

Gjatë takimit të organizuar në ambientet e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Z. Gentian Sala, Kryetar i Autoritetit të Mediave Audiovizive, theksoi se “…respektimi dhe mbrojtja e grupeve të margjinalizuara është në fokus të punës sonë ndaj dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve tona do të jetë një vlerë e shtuar në zgjidhjen e atyre problemeve që has ky kontingjent i shoqërisë”.

Z. Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi u shpreh se”…. mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut, siç është dhe mbrojtja nga diskriminimi në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtare, është një e drejtë legjitime e qytetarëve shqiptarë”.

Bazuar në këtë memorandum, palët angazhohen për realizimin e veprimtarisë së përbashkët për respektimin, forcimin  dhe avancimin e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut, në mënyrë të veçantë, të të drejtave që lidhen me mbrojtjen e grupeve të margjinalizuara; rritjen e bashkëpunimit në drejtim të forcimit të zbatimit të legjislacionit në fuqi, të transparencës dhe të llogaridhënies; për të parandaluar e ndaluar rastet e veprimtarisë së  paligjshme, si dhe për të kërkuar ndërhyrje të ndryshme nga subjektet mediatike në vend sa herë që është e nevojshme.

AUTORITETI I MEDIAVE AUDIOVIZIVE

Tiranë, më 23.11.2020

Perpara Announcement for audiovisual media

Leave Your Comment