+355 67 303 3000 info@ama.gov.al

Grupi i deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, në Kuvendin e Shqipërisë, në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA), organizuan sot më datë 12 korrik 2019, tryezën e përbashkët të diskutimit, me temë “Fëmijët në median audiovizive”. Ky takim zhvillohet në funksion të zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit për AMA-n.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin deputetë, përfaqësues të mediave audiovizive, përfaqësues të shoqërisë civile, të institucioneve shtetërore, etj.
Qëllimi i organizimit të kësaj tryeze ishte krijimi i një hapësire të dobishme për të diskutuar me të gjithë grupet e interesit, mbi aspekte të mbulimit të problematikave që lidhen me raportimin e fëmijëve në median audiovizive.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi, njëkohësisht zëvendëskryetare e Grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, në fjalën e saj falenderoi Autoritetin e Mediave Audiovizive për fillimin e punës për zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit të Shqipërisë dhe theksoi rolin e Autoritetit në çështje sensitive sikurse janë të drejtat e fëmijëve. Duke shprehur mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë ndaj AMA-s për të adresuar çështje që lidhen me të drejtat e fëmijëve, znj. Hysi tha se kjo tryezë diskutimi është një vlerë e shtuar dhe një moment i mirë reflektimi për aktorët e përfshirë, median, shoqërinë dhe komunitetin, mbi rolin e tyre në edukimin e fëmijëve.

Ndërsa zj. Milva Ekonomi, Zëvendëskryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvendin e Shqipërisë, foli për rëndësinë që ka sot bashkëpunimi institucional, por edhe më gjerë, për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve. Ajo theksoi rëndësinë e monitorimit të përmbajtjeve audiovizive, kryesisht me fokus dhunën ndaj fëmijëve dhe reklamat për pijet energjike dhe pijet e gazuara me sheqer të shtuar, si produkte të dëmshme për mirërritjen e fëmijëve.
Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala, në fjalën e tij u ndal tek puna që ka kryer ky institucion në funksion të mbrojtjes së fëmijëve në transmetimet audiovizive. Z. Sala vlerësoi se ka një rritje të ndërgjegjësimit të medias, por edhe të publikut ndaj kësaj problematike. Ai nënvizoi nevojën për rol të shtuar të operatorit publik si i vetmi organ që ka në fokus mbi të gjitha interesin e publikut. Gjatë 5 viteve të fundit, vijoi z. Sala, “jemi përpjekur të bashkërendojmë punën dhe aktivitetin e të gjithë aktorëve të përfshirë, në mënyrë që të adresojmë si duhet këtë problematikë”. Momenti kulmor i kësaj veprimtarie ka qënë dhe vendimi i Bordit të AMA-s, që ka përcaktuar si prioritet mbrojtjen e fëmijëve në transmetimet audiovizive”.
Znj. Elma Tërshana dhe znj. Julia Alushi nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve, prezantuan gjetjet e studimit të kryer në bashkëpunim me UNICEF-in mbi “Portretizimin e fëmijëve në media”.
Kryetari i Këshillit të Ankesave pranë AMA-s, z. Urim Bajrami, paraqiti një përmbledhje të punës së këtij Këshilli që prej muajit prill 2016, kur u konstitua kjo strukturë, duke nënvizuar vlerësimin për çdo ankesë të adresuar dhe shpjeguar praktikën e mirë të krijuar për shqyrtimin e ankesave.
Takimi vijoi më pas me diskutime nga pjesëmarrësit në tryezë, që do të pasohet nga takime të tjera edhe në të ardhmen.