+355 67 303 3000 info@ama.gov.al

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në mbledhjen e datës 16.05.2019, ka marrë në shqyrtim reagimet mbi qëndrimet që janë mbajtur në rubrikën “Be Coffee”, të emisionit “E diela shqiptare”, transmetuar në televizionin kombëtar “Klan”, më datë 03.02.2019, mbi figurën e dëshmorit Mujo Ulqinaku.

Pasi ka dëgjuar relacionin e Këshillit të Ankesave mbi trajtimin e kësaj çështjeje vërejti se:

Akti i rezistencës dhe kontributi me sakrificën më sublime nga dëshmori Mujo Ulqinaku në momente tragjike për vendin, dukshëm ka marrë vlerësime të papërshtatshme dhe joetike nga autorët dhe aktorët e materialit humoristik. Përmendja me emër dhe mbiemër e tij në një krijim artistik dhe karakterizimi me nota qesharake e cinike shkojnë në favor të denigrimit për ata që konkretisht kontribuuan në mbrojtje të atdheut.

Ne vlerësojmë përfshirjen e përmbajtjeve humoristike dhe satirike në dobi të argëtimit dhe zbavitjes së ndjekësve të transmetimeve audiovizive, por kërkojmë dhe mirëkuptimin e krijuesve dhe aktorëve, për të mos tejkaluar normat etike, që shkaktojnë reagime negative në publik, sidomos në rastet e figurave historike dhe kombëtare.

Ndaj, AMA tërheq vëmendjen ndaj televizionit “Klan”, si dhe OSHMA-ve të tjera, për të pasur në konsideratë shmangien e krijimit të situatave të papërshtatshme që zbehin dhe nënvlerësojnë rolin, kontributin dhe nderimin e figurave historike të kombit.

 

Autoriteti i Mediave Audiovizive

16.05.2019