+355 67 303 3000 info@ama.gov.al

Më datë 3 Maj, Autoriteti i Mediave Audiovizive, organizoi ceremoninë e festimeve të 20-vjetorit të themelimit të saj.

Në ceremoni morën pjesë personalitete të ndryshme me kontribut në fushën e mediave audiovizive, deputetë, gazetarë, analistë, opinionitë, staf akademik, partner të AMA-s, si dhe përfaqësues të mediave në Shqipëri. Këtë përvjetor e nderuan edhe ish-funksionarë të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj.Vasilika Hysi vlerësoi punën e deritanishme të bërë nga Autoriteti. Sipas saj, AMA ndikon drejtpërdrejt në edukimin mediatik të qytetarëve dhe po ashtu në profesionalizimin e gazetarëve në raportimin e lajmeve dhe në të gjitha hallkat e një medie më të lirë dhe të pavarur. Znj. Hysi vlerësoi partneritetin e AMA-s me institucionet publike si një mënyrë e mirë për të rritur ndërveprimin institucional i cili ndikon drejtpërdrejtë në forcimin reciprok të tyre.

Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala, në fjalën e tij bëri një rezyme të historikut të Autoritetit për këto 20-vite. AMA, vijoi ai, ka tejkaluar të gjithë problemet e mbartura financiare dhe gjyqësore të digjitalizimit dhe ka garantuar brenda hapësirës frekuencore dhe ligjore platformat e mëdha në vend. Ndërkaq, shtoi ai, përpjekje maksimale janë bërë për uljen e tarifave për operatorët publikë dhe privatë. “Sot, publiku shqiptar në rreth 35 % të tij, shikon TV tokësore pa pagesë në mbi 30 kanale, si asnjë vend tjetër i rajonit”, u shpreh z.Sala.

Kryetari i AMA-s theksoi se për herë të parë nga 2018 e këtej, Autoriteti është fokusuar në çështje programore, si veprimtaria themelore e tij në përputhje me interesat e publikut.

Ceremonia e 20-vjetorit të themelimit të AMA-s përkoi me Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Në këtë drejtim, Kryetari i Autoritetit u ndal tek roli i medias në shoqërinë shqiptarë gjatë këtyre viteve.

“..në këto 20 vjet është padyshim ajo, denoncuesja më e madhe e shkeljeve në institucionet publike. Është ajo media që ka mbajtur gjallë gjuhën shqipe në qindra e mijëra fëmijë shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve. Është ajo industri e madhe mediatike që me punën e saj jo vetëm kontribuon në miliona euro në buxhetin e shtetit, por mban mbi 3 mijë punonjës.  Mos harrojmë që kjo media në Kosovë, Maqedoni dhe në trojet shqipfolëse është mjeti kryesor i informimit.” – tha në fjalën e tij z. Sala.

Mbrëmja vijoi nën një atmosferë festive me muzikë dhe përshëndetje mes të ftuarve.

 

Autoriteti Mediave Audiovizive