+355 67 303 3000 info@ama.gov.al
Select Page

Ditën e hënë, në mjediset e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), u zhvillua takimi mes  Komisionit për Administratën Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në Kosovë, me përfaqësinë e AMA-s. Në mjediset e AMA-s u pritën përfaqësia nga Kuvendi z. Nait Hasani, z. Milaim Zeka dhe z. Valon Ramadani , po ashtu edhe z. Muja Ferati Kryetar i Komisionit  të Pavarur të Mediave, znj. Vlorë Berisha, znj. Anita Muriqi, znj. Naile Selimaj Krasniqi, z. Besim Rexhepi

Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i eksperiencave mes dy autoriteteve dhe konsultimi për procesin e digjitalizmit të transmetimeve dhe për ofrimin e shërbimeve mediatike të reja. Gjatë takimit u diskutuan çështje me rëndësi për të dy Autoritetet, si trendet e zhvillimit të medias, risitë e teknologjisë në rajon dhe më gjerë, gjithashtu edhe u shkëmbyen përvojat në lidhje me procesin e digjitalizimit të transmetimeve ku dhe u ndalën më gjatë të dy Kryetarët përkatës për të shpjeguar procesin sesi ka funksionuar në Shqipëri deri tani dhe më pas duke pritur pyetje konkrete nga përfaqësuesit e KPM-së.

Z. Hasani, shprehu dëshirën për kryerjen e procesit te digjitalizimit dhe në territorin e shtetit te Kosovës por gjithashtu shprehu shqetësimin për sfidën financiare që mund te haset në implementimin e teknologjisë.

Z. Sala e njohu delegacionin me proceset që AMA është duke punuar.  Digjitalizimi është duke vazhduar me sukses dhe pritet që të arrihen afatet e parashikuara, tha z. Sala. Po ashtu ai e njohu delegacionin edhe me sfidat që AMA-s i është dashur të përballet dhe mënyrën sesi ato janë zgjidhur. Z. Sala inkurajoi të pranishmit se digjitalizmi është një proces me shumë përfitime si për median po ashtu edhe për qytetarin.

Z. Muja Ferati, u tregua vullnetplotë për të bashkëpunuar në lidhje me fillimin dhe finalizimin e një procesi sa më të aksesueshëm për qytetarët. Ai u interesua veçanërisht për detaje teknike dhe financiare të procesit. Gjatë diskutimeve u pranua nga të dyja palët se për Kosovën do të jetë shumë me e lehtë të implementohet kjo mënyrë e re transmetimi për shkak të relievit të saj.

Në javët në vijim do të operohet me veprime konkrete dhe asistencë teknike, programore dhe juridike për çështje që do të vlerësohen si të rëndësishme në fazën e dgjitalizmit të transmetimeve ku ndodhet për momentin Republika e Kosovës.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 18.02.2019