+355 67 303 3000 info@ama.gov.al

AMA i bashkohet nismës së Bashkisë Tiranë për pasurimin e Pyllit Orbital

Screenshot_2018-02-18-12-56-22-1 Screenshot_2018-02-18-17-59-20-1

Autoriteti Mediave Audiovizive i bashkohet aksionit të Bashkisë së Tiranës me mbjelljen e 100 pemëve kumbulla të kuqe pranë liqenit të Farkës, si pjesë e projektit të Pyllit Orbital. Blerja e pemëve  u mundësua nga buxheti i Autoritetit dhe stafit të AMA-s.

Autoriteti i Mediave Audiovizive prej kohësh po i kthen politikat e gjelbërta në prioritet në punën e përditshme, duke fillluar nga kursimi i energjisë, mbrojtja e ambientit dhe kontributi direkt në ndryshimin për mirë të tij.

Duke e cilësuar si një nismë shumë të nevojshme mbjelljen e pemëve, kryetari i AMA-s, Gentian Sala, tha se është nga aktivitetet më frymëzuese ku stafi i AMA-s merr pjesë. Autoriteti ka si objektiv, u shpreh ai, që politikat mjedisore t’i përkrahë edhe me një fond të vogël në buxhetin e tij të vitit pasardhës.

Kryebashkiaku i shprehu mirënjohjen stafit të AMA-s, të cilët me fondet e tyre kontribuan në shtimin e numrit të pemëve të reja të mbjella këtë sezon në kryeqytet. Veliaj apeloi që ky shembull i qytetarisë, të ndiqet edhe nga institucionet e tjera, duke lënë në këtë mënyrë një shenjë në krijimin e një ambienti të shëndetshëm për fëmijët.

Parku i Liqenit të Farkës po shndërrohet në një nga hapësirat çlodhëse më të vizituara për komunitetin e shtuar të banorëve në këtë zonë, por edhe nga turistët ditorë për aktivitete sportive. Kryebashkiaku Veliaj falenderoi për ndihmën në mbjelljen e 100 pemëve dhe theksoi se kur gjërat e vogla bëhen me dashuri, rezultati është fantastik. Në aktivitet, në shenjë solidarizimi me politikat mjedisore mori pjesë edhe kantautori Ardit Gjerbrea.

 Autoriteti i Mediave Audiovizive

 

 

31 MARS 2018, AFATI PËRFUNDIMTAR PËR MBYLLJEN E TRANSMETIMEVE ANALOGE NË QARKUN E FIERIT

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në zbatim të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat  audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe në ndjekje të procesit të dixhitalizimit të transmetimeve televizive, pas qarkut të Beratit dhe Korçës, njofton se qarku i ardhshëm do të jetë ai i Fierit.  Afati përfundimtar për mbylljen e transmetimeve analoge në këtë qark do të jetë data 31 Mars 2018.

Për sa më sipër, AMA tërheq vëmendjen e të gjithë subjekteve audiovizivë që ushtrojnë veprimtari televizive analoge në qarkun e Fierit, në marrjen e masave për të mbështetur programin e tyre në rrjetin numerik të RTSH-së, ose në njërin prej rrjeteve numerike kombëtare të licencuara nga AMA.

Nga ana tjetër, AMA kërkon nga publiku i cili përfiton transmetimet televizive nëpërmjet teknologjisë analoge, të pajiset me marrës digjital (dekoderë universalë të tipit DVB-T2), pasi në të kundërt, mbas datës 31 Mars 2018, nuk do të mund të shohë më transmetime televizive në këtë qark.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë,  më 23.01.2018