+355 67 303 3000 info@ama.gov.al

Deklaratë e kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, Z. Gentian Sala

Në artikullin “Bllokimi i licencave ‘përplas’ televizionet me anëtarët e pakicës në AMA”, publikuar në 2 shkurt 2016 në platformën online Reporteri.al të BIRN-it është shkruar dhe mbi votën kundër të dy anëtarëve të AMA-s, përkatësisht  Z. Sami Nezaj, zëvendëskryetar dhe Zj. Suela Musta, anëtare, në mbledhjen e datës 1 shkurt 2016, për licencimin e  subjekteve kombëtare të transmetimit audioviziv numerik sipas procedurës së Beauty Contest.

Në këtë artikull shkruhet se: “Argumenti i dytë i votës së tyre kundër lidhet me raportin e pronësisë së operatorëve historikë, që u përzgjodhën nga AMA për t’u përfshirë në Beauty Contestin e licensave dixhitale. Dy anëtarët e pakicës në AMA vlerësuan se ‘dokumentet e depozituar nga Digitalb sh.a dhe TV Klan sh.a nuk janë në përputhje me nenin 62 të ligjit’”.

Në lidhje me këtë pohim, kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, Z. Gentian Sala, bën këtë deklaratë për mediat:

“Dy anëtarët e AMA-s në mbledhjen e datës 1 shkurt 2016 nuk janë shprehur në asnjë rast për mospërputhje ligjore të dokumentacionit të subjekteve konkurruese në garën për licencim. Në respekt të procedurave administrative dhe transparencës për publikun, sapo të miratohen nga anëtarët e AMA-s procesverbalet e dy mbledhjeve të fundit, ato do të vihen në dispozicion”.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 4 shkurt 2016