+355 67 303 3000 info@ama.gov.al

Takim zyrtar me delegacionin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

Në datën 12 maj 2015, kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, z. Gentian Sala, nënkryetari z. Sami Nezaj, anëtari i bordit z. Zylyftar Bregu dhe pjesë të stafit të AMA-s, zhvilluan një takim zyrtar me delegacionin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, në përbërje të të cilit ishin kryetari i Prezencës, Ambasadori Florian Rauning, Znj. Dunja Mijatovic përfaqësuese e OSBE-së për Lirinë e Medias, këshilltari i saj si dhe stafi i tyre. Çështjet kryesore që u diskutuan në këtë takim lidheshin kryesisht me rëndësinë që ka AMA si institucion për të siguruar pluralizmin e medias dhe lirinë e shprehjes. Një mesazh i fortë u dha për punën e AMA-s si dhe rëndësinë për mos monopolizimin e tregut mediatik në Shqipëri. Shqetësim kryesor gjithashtu mbetet mungesa e anëtarëve të bordit në aktivitetin dhe vendimmarrjen e AMA-s.

Znj. Mijatovic theksoi se politikanët dhe pronarët e bizneseve duhet të respektojnë pavarësinë e mediave dhe të institucioneve të pavarura si AMA dhe të lenë profesionistët të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur për të mirën e publikut shqiptar.

Përfaqësuesit e Autoritetit informuan delegacionin e OSBE-se mbi problematikën e bartur në vite, por gjithashtu edhe mbi shqetësimin e tyre për monopolizimin e tregut , kryesisht lidhur me procesin e dhënies se licencave digjitale. Ata u informuan se AMA ka vepruar vetëm duke u bazuar në ligjin 97/2013, në strategjinë kombëtare të kalimit nga analogu në numerik, si dhe në respekt të perfomancës së operatorëve historikë kombëtarë dhe atyre me eksperiencë në transmetimet numerike. Prioritet në këtë proces, sipas drejtuesve të AMA-s, i është dhënë Transmetuesit Publik, RTSH-së, për të cilin janë siguruar 2 rrjete digjitale për vendosjen e buketës së programeve të veta, apo për përfshirjen e operatorëve të tjerë rajonalë dhe locale.

Gjithashtu, problemi i mospjesëmarrjes së dy anëtarëve të bordit si dhe mos përzgjedhja prej muajsh e anëtarit të shtatë, përbëjnë ngërç serioz që institucioni të mos funksionojë me kapacitet të plotë. Si problem politik ai duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur, theksuan te dyja palët gjate takimit te mbajtur.

Tiranë, më 12 maj 2015

Autoriteti i Mediave Audiovizive