+355 67 303 3000 info@ama.gov.al

 Takimi i parë me operatorët televizivë vendorë mbi ecurinë e procesit të digjitalizimit

Ditën e hënë më datë 1 Qershor 2015,  Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, zhvilloi në Tiranë një takim konsultativ me operatorët televizivë lokalë dhe rajonalë në kuadër të procesit të digjitalizimit. Fokusi kryesor i diskutimit ishte mbi problematikat e mbështetjes së operatorëve në rrjetin e TVSH-së, si dhe përllogaritjen e tarifave përkatëse. Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala, në hyrje të takimit theksoi rëndësinë e digjitalizimit dhe vëmendjen që ka ky institucion për të pasur një proces transparent dhe të bazuar në legjislacionin shqiptar dhe në strategjinë kombëtare të kalimit të transmetimeve nga analogu në numerik, duke sjellë një produkt më të mirë për publikun dhe me kosto sa më të ulët.

Gjatë takimit nga pjesëmarrësit u trajtuan probleme të tilla si, kuadri ligjor për kalimet në transmetimet numerike, proceset që do të realizohen për mbylljen e transmetimeve analoge aktuale, stadi aktual i digjitalizimit të rrjeteve analoge tokësore të transmetuesit publik, i cili është i zhbllokuar pas nënshkrimit të kontratës me shoqërinë “Rhode & Shwartz”, ecuria e digjitalizimit të rrjeteve analoge tokësore të operatorëve private kombëtare, alternativat që mund të zgjedhin operatorët privatë  lokal ekzistues për digjitalizimin e rrjeteve analoge tokësore etj.
Gentian Sala shprehu qartë rolin e AMA-s, si autoritet rregullator, duke siguruar që tarifat që duhet të paguajnë operatorët privatë të jenë të mjaftueshme për mbarëvajtjen financiare të RTSH-së, si dhe që kjo tarifë e paguar prej tyre, të jetë e përballueshme për ta në mënyrë që të përmbushet objektivi kryesor, digjitalizimi.

Ky ishte takimi i parë me subjektet televizive lokale dhe rajonale, që do të vijojë dhe me tryeza të tjera konsultative, për të shkëmbyer ide dhe informacion, në arritjen e një konsensusi sa më shpejtë mes operatorëve privatë, RTSH-ës dhe AMA-s.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 1 qershor 2015

Vizita në Autoritetin Holandez të Mediave

Në datat 7-8 maj 2015 një delegacion i Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA mbështetur nga Këshilli i Europës ishte në Holandë ku zhvilloi takime pune në Autoritetin Holandez të Mediave (Commissariaatvoor de Media), në Institutin Holandez të Klasifikimit të Përmbajtjes së Medias Audiovizive (NICAM), në Fondacionin Holandez të Transmetimeve, CoBo, në Organizatën e Transmetimit që përbën sistemin e transmetimit publik Holandez, NOS Newsroom etj.

Qëllimi i vizitës ishte njohja me këto institucione, përvetësimi i eksperiencave më të mira në fushën e transmetimeve audiovizive, si dhe për të parë shembullin e funksionimit të Autoritetit Rregullator Holandez. Në kuadër të reformave në fushën e digjitalizimit të medias elektronike, trajnimi dhe njohja e administratës së AMA-s me standardet dhe praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare në fushën e medias elektronike, është garanci e shtuar në këtë drejtim.
Vizita në Autoritetin Holandez të Mediave u fokusua në mënyrë të veçantë te detyrat dhe kompetencat e institucionit, kalimin nga transmetimet analoge në transmetimet digjitale, bashkëpunimin ndërkombëtar, sfidat e teknikave të reja të reklamave dhe televizioneve si dhe në kërkimet programore.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 7-8 maj 2015

 

Takim pune me subjektet kabllore

Autoriteti i Mediave Audiovizive, në datën 15 dhjetor 2014, në mjediset e Hotel “Tirana Internacional”, në Tiranë, organizoi veprimtarinë “Takim pune me subjektet kabllore”. Ky takim u zhvillua me pjesëmarrjen e të gjithë subjekteve kabllore të licencuar nga AMA, në të gjithë territorin e vendit.

Qëllimi i takimit ishte domosdoshmëria e zbatimit të ligjshmërisë, njohja dhe diskutimi i problematikave që hasin subjektet kabllore, marrëdhëniet institucionale me AMA-n dhe zbatimi i kontratave mbështetur në legjislacionin në fuqi.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 15 dhjetor 2014