+355 67 303 3000 info@ama.gov.al

Konferenca ndërkombëtare shkencore: “Digjitalizimi i transmetimeve tokësore: sfida, paradokse, shpresa” 

Të mërkurën, më datë 25 nëntor, në Hotel Sheraton u organizua konferenca “Digjitalizimi i transmetimeve tokësore: sfida, paradokse, shpresa”.Kjo konferencë vjen si bashkëpunim i departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Konferenca shkencore mbi digjitalizimin vjen në momentin kur Autoriteti i Mediave Audiovizive, Radio Televizioni Shqiptar dhe Ministria për Inovacion po bashkojnë forcat për të bërë kalimin e transmetimeve nga analoge në numerikë. Ajo përmblodhi punët kërkimore dhe rezultatet e dala prej tyre, të cilat kishin në fokus procesin e digjitalizimit.Konferenca shkencore zgjati gjatë gjithë ditës dhe në të morën pjesë rreth 45 referues.Referuesit ishin kërkues të atashuar pranë Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në rolin e pegagogëve të jashtëm ose të brendshëm, ekspertë nga AMA si dhe të ftuar nga europa dhe rajoni.

Ky aktivitet është një ndihmë më shumë për të lidhur bashkë komunitetin e kërkuesve shkencorë, ekspertëve, drejtuesit e institucioneve, doktorantët, doktorët, pedagogët dhe bashkëpunëtorët e jashtëm të departamentit. Ky bashkëpunim do të ndihmojë në pjekjen e mendimit intelektual dhe ekspertizës profesionale.

Prof. Dr. Akademik Artan Fuga, gjatë fjalës së tij përshëndeti konferencën dhe organizatorët, ku vlerësoi maksimalisht mbështetjen e AMA-s për këtë aktivitet kaq të rëndësishëm.

Pjesëmarrës në konferencë ishin edhe të ftuarit nga Franca, Turqia dhe Italia: z. Philippe Levrier, ekspert me një eksperiencë 40 vjeçare në media, transmetim dhe telekomunikacion, znj. Mine Gencel Bek nga Universiteti i Ankarasë, eksperte në fushën e komunikimit në Bashkimin Europian dhe në Turqi dhe z. Augusto Preta, ekspert i Televizionit Digjital. Te ftuarit nga jashtë vendit sollën eksperiencën e tyre për kalimet në transmetimet digjitale, ku edhe bën një panoramë të shkurtër sesi ky proces ka ndodhur në vendin e tyre.

Të ftuarit nga rajoni znj. Naile Krasniqi, Kryeshefe ekzekutive e Komisionit të Pavarur të Medias në Kosovë dhe znj. Afërdita Saraçini Kelmendi Drejtore e Përgjithshme e Radio-Televizionit 21 në Kosovë, secila sipas qasjes dhe profilit dhanë detaje dhe eksperienca mbi procesin e digjitalizimit në vendin e tyre.

Nga Autoriteti i Mediave Audiovizive në konferencë mori pjesë një përfaqësi e Autoritetit. Kryetari Z. Gentian Sala diskutoi mbi rolin e AMA-s në fuqizimin e hapësirës së bashkëpunimit të aktorëve publik.

Ministria e Inocavionit dhe Administratës Publike, znj. Milena Harito përshëndeti aktivitetin dhe vlerësoi rolin e madh që ky aktivitet ka për bashkërendimin e punës mes aktorëve dhe nxitjes së mendimit inovativ.

Gjatë gjithë ditës, në panelet e konferencës morën pjesë aktorë të rëndësishëm të medias audiovizive në vend.

Nga ky aktivitet do të dalë edhe një botim i cili do të përmbledhë të gjitha kumtesat të cilat tashmë janë trashëgimi shkencore e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit por edhe të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Konferenca u përmbyll në orët e mbrëmjes me një koktejl për të gjithë pjesmarrësit. Kjo hapësirë shërbeu për rrahje mendimesh, biseda dhe debat mes të pranishmëve

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Tiranë, më 25.11. 2015